Qendrore

Mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës: Vlerësohet lodhja e qytetarëve nga krizat politike

09.06.2026. 2 min čitanja

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku është diskutuar rezultati i zgjedhjeve dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të partisë.   Në njoftimin e PDK-së thuhet se pjesëmarrja më e ulët në procesin zgjedhor, krahasuar me ciklet e kaluara me rreth 200 mijë votues më pak, vlerësohet si sinjal serioz që reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimi shoqëror dhe zhgënjimi i akumuluar gjatë viteve të fundit.   Po ashtu, në mbledhje është diskutuar edhe ndikimi i rrethanave politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor. Sipas PDK-së, masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve kanë ndikuar në krijimin e perceptimit se rezultati mund të ketë qenë i paracaktuar, duke dekurajuar një pjesë të elektoratit opozitar për të dalë në votime.   Megjithatë, kryesia vlerëson se PDK mbetet subjekti më i madh opozitar, duke ruajtur përfaqësimin politik dhe me mundësi rritjeje të lehtë të numrit të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.   Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se partia është përballur me procese të shumta zgjedhore dhe nuk ka pasur hapësirën e nevojshme për riorganizim të plotë të strukturave.   Në mbledhje është diskutuar gjithashtu edhe procesi i ardhshëm i zgjedhjeve të brendshme partiake, të cilat pritet të jenë të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse, me synim përfshirjen e gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të partisë. Sipas planifikimeve, procesi i brendshëm zgjedhor mund të fillojë në shtator 2026.   Po ashtu, është ritheksuar rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, si një proces me rëndësi për të ardhmen politike të vendit.   /Dragash Info/