Maqedonia e Veriut siguron 2 milionë euro për projektin e rrugës Tetovë–Prizren
Maqedonia e Veriut siguron 2 milionë euro për projektin e rrugës Tetovë–Prizren Rruga strategjike Tetovë–Prizren po hyn në një fazë të re të realizimit, pasi Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ka siguruar 2 milionë euro për hartimin e projektit kryesor të këtij aksi të rëndësishëm. Mjetet janë ndarë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” për vitin 2026 dhe pritet që së shpejti të hapet tenderi për projektimin. Ky hap konsiderohet vendimtar, pasi përmes projektit do të përcaktohen kostoja e saktë, afatet dhe mënyra e realizimit të këtij projekti madhor që do të lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes një tuneli të përbashkët. Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, theksoi rëndësinë e përfundimit të projektit kryesor, duke nënvizuar se pa këtë dokument nuk mund të dihen detajet konkrete të investimit dhe kohëzgjatjes së punimeve. Ndërkohë, edhe autoritetet lokale në Tetovë kanë nisur hapat konkretë në terren. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se tashmë është prezantuar traseja e rrugës nga Tetova deri te pika ku planifikohet hapja e tunelit. Sipas tij, rruga do të kalojë nga aksi Tetovë–Kodra e Diellit, me kthesë mbi Shipkovicë, ndërsa pjesa tjetër do të përfshijë zgjerimin e rrugës ekzistuese. Ky projekt ka qenë një zotim i kahershëm ndërmjet dy vendeve. Në janar të vitit 2024, institucionet e transportit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancimin e tunelit, i cili parashihet të ketë gjatësi prej 6.4 kilometrash. Ndërtimi i rrugës Tetovë–Prizren pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin, të rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe të afrojë më shumë qytetarët e të dyja vendeve. — Dragash Info