Lirim Greiçevci: Thaçi mirënjohës për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës
Lirim Greiçevci: Thaçi mirënjohës për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës Anëtari i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Lirim Greiçevci, ka publikuar një mesazh të ish-presidentit Hashim Thaçi drejtuar qytetarëve të Kosovës, në të cilin ai shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që ka marrë gjatë viteve të fundit. Sipas postimit të Greiçevcit, ai ka pasur mundësinë të komunikojë drejtpërdrejt me Thaçin, të cilin e ka uruar për ditëlindje dhe e ka informuar për mijëra urime të qytetarëve të shpërndara në rrjetet sociale. Në mesazh thuhet gjithashtu se shumë qytetarë kanë shprehur dëshirën që kjo të jetë ditëlindja e fundit e Thaçit në paraburgim në Hagë. Greiçevci ka bërë të ditur se Thaçi është mirënjohës ndaj çdo qytetari për përkrahjen e dhënë dhe mezi pret që t’ua shprehë personalisht falënderimet për mbështetjen. Postimi është shoqëruar edhe me një fotografi nga viti 2017, gjatë një pritjeje me nderime ushtarake në akademinë britanike Royal Military Academy Sandhurst, në ditëlindjen e 24 prillit. Sipas raportimeve, mesazhi ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale. — Dragash Info