Dragashi feston 1 Qershorin me aktivitete të shumta për fëmijët
Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në qendër të Dragashit u organizuan aktivitete festive dhe sportive, duke sjellë atmosferë gëzimi, argëtimi dhe bashkëpunimi për më të vegjlit. Festimet nisën me performancat dhe buzëqeshjet e fëmijëve të çerdhes, të cilët me energjinë dhe entuziazmin e tyre i dhanë ngjyra kësaj dite të veçantë. Në kuadër të aktiviteteve u zhvillua edhe turneu i futbollit të vogël me moton “Futbolli na Bashkon”, ku fëmijët patën mundësinë të tregojnë talentin e tyre sportiv, frymën garuese dhe bashkëpunimin ekipor. Aktiviteti synoi promovimin e sportit, miqësisë dhe vlerave pozitive tek gjeneratat e reja. Organizimi i kësaj feste u realizua nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Dragashit, në bashkëpunim me Lidhjen Rajonale të Futbollit në Prizren dhe Federatën e Futbollit të Kosovës. Mbështetje të rëndësishme dhanë edhe Drejtoria e Arsimit, si dhe Qendra Rinore AVOKO, të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen e aktiviteteve. Organizatorët shprehën mirënjohje për të gjithë fëmijët, edukatoret, mësimdhënësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët që ndihmuan në realizimin e kësaj dite festive, duke e bërë 1 Qershorin një kujtim të veçantë për fëmijët e Dragashit. Gëzuar 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve!
/Dragash Info/