Dragash, 22 dhjetor 2025 – Kuvendi i Komunës së Dragashit ka mbajtur sot mbledhjen e parë të rregullt të kësaj legjis…
Dragash, 22 dhjetor 2025 – Kuvendi i Komunës së Dragashit ka mbajtur sot mbledhjen e parë të rregullt të kësaj legjislature, pas betimit të asambleistëve dhe kryetarit të komunës në seancën paraprake.
Në pikën e parë të rendit të ditës, Kuvendi procedoi me zgjedhjen e kryesuesit të ri. Kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), z. Resul Fetahu, u votua me votim të fshehtë dhe u shpall kryesues i Kuvendit të Komunës së Dragashit.
Rezultati i votimit ishte si vijon:
12 vota pro
5 vota kundër
2 abstenime
2 vota të pavlefshme
Me këtë rezultat, z. Fetahu mori mandatin e kryesuesit të Kuvendit. Ai në legjislaturën e kaluar ka ushtruar detyrën e Nënkryetarit të Komunës, duke sjellë me vete përvojë të konsiderueshme ekzekutive në qeverisjen lokale.
Pas zgjedhjes së kryesuesit, Kuvendi vazhdoi punimet me pikën e radhës të rendit të ditës, zgjedhjen e Nënkryetarit nga komunitetet. Kjo pozitë i takoi z. Danis Hoxha, i cili u shpall fitues pasi ishte kandidati më i votuar nga përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë.
Po ashtu, Kuvendi shqyrtoi edhe zgjedhjen e Nënkryetarit të Komunës për Komunitete. Kandidati i propozuar nga kryetari i komunës ishte z. Fejsal Haliloviq, i cili edhe në mandatin e kaluar kishte ushtruar këtë funksion. Gjatë diskutimit, asambleisti z. Usmen Ballxhi kundërshtoi këtë propozim, duke theksuar se nuk ishte konsultuar paraprakisht si përfaqësues i komunitetit.
Megjithatë, pas votimit nga asambleistët e komuniteteve, Haliloviq u zgjodh me:
3 vota pro
1 votë kundër
Ndërkohë, në votimin e përgjithshëm të Kuvendit, ai mori mbështetjen e shumicës së asambleistëve, duke u konfirmuar zyrtarisht në këtë funksion.
Këto vendime shënojnë konsolidimin e strukturave drejtuese të Kuvendit të Komunës së Dragashit në fillim të mandatit të ri, duke garantuar përfaqësim institucional dhe funksionim të rregullt të organeve komunale.



