Dekreti i Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit thellon përplasjet politike në Kosovë
Dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit ka thelluar edhe më tej tensionet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, pas dështimit të institucioneve për ta zgjedhur presidentin brenda afatit të paraparë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës është vlerësuar se vendimi i presidentes është në përputhje me Kushtetutën. Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese, pasi institucionet nuk arritën ta zgjedhin presidentin brenda afatit të përcaktuar.
Sipas tij, interpretimet që pretendojnë se Kuvendi mund të vazhdojë punën pa kufizim kohor do të krijonin hapësirë për zvarritje të procesit. Gruda thekson se afati 60-ditor shërben kryesisht për rastet kur posti i presidentit mbetet vakant, si në rast dorëheqjeje, shkarkimi apo vdekjeje, ndërsa afati prej 30 ditësh i nenit 86 lidhet me përfundimin e rregullt të mandatit të presidentit aktual.
Në anën tjetër, përfaqësues të pushtetit dhe disa njohës të së drejtës e kanë kundërshtuar dekretin e presidentes. Kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar vendimin si jokushtetues dhe kanë paralajmëruar se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Edhe një pjesë e ekspertëve juridikë kanë shprehur qëndrimin se presidentja ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke argumentuar se Kuvendi ende kishte kohë për ta zgjedhur presidentin para se të merrej vendimi për shpërndarjen e tij.
Kjo situatë ka rritur më tej tensionet politike në vend dhe ka hapur një debat të gjerë për interpretimin e dispozitave kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjen e Kuvendit.
Liderët politikë janë takuar disa herë për të arritur një figurë konsensuale për presidentin, por pa sukses. Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare.
Në garë për postin e presidentit ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mulhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje. Presidentja e shpërndau Kuvendin pas moszgjedhjes së presidentit më 5 mars, ndërsa më pas nisi konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.