Botë

OVL e UÇK-së reagon për Ditën e Veteranëve: Heshtje institucionale dhe mungesë respekti shtetëror Organizata e Vetera…

30.12.2025. 2 min čitanja

OVL e UÇK-së reagon për Ditën e Veteranëve: Heshtje institucionale dhe mungesë respekti shtetëror

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar lidhur me shënimin e 30 Dhjetorit, Ditës së Veteranëve të UÇK-së, e cila sipas ligjit në fuqi duhet të shënohet si ditë reflektimi shtetëror, respekti institucional dhe përuljeje ndaj sakrificës së luftëtarëve të lirisë.

Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së ka kritikuar institucionet për mungesë të trajtimit dinjitoz të veteranëve ndër vite, duke theksuar se për pesë vjet me radhë luftëtarët e UÇK-së janë lënë pa pension meritor, gjë që, sipas tyre, ka cenuar dinjitetin e atyre që rrezikuan jetën për lirinë e vendit.

Sipas OVL-së, kjo situatë është rezultat i veprimeve të qëllimshme politike, përfshirë bashkëpunimin me Listën Serbe, ndërsa janë toleruar edhe deklarata fyese dhe përçmuese ndaj veteranëve, pa asnjë reagim apo mbrojtje institucionale.

Në reagim përmendet gjithashtu se veteranët janë etiketuar dhe trajtuar si barrë për shtetin, madje duke u bërë edhe deklarata publike që, sipas OVL-së, kanë relativizuar kontributin e luftëtarëve të UÇK-së.

OVL e UÇK-së ka theksuar se, përveç mungesës së trajtimit dinjitoz ndër vite, veteranët nuk janë kujtuar as simbolikisht në Ditën e Veteranëve, duke mos u organizuar asnjë aktivitet shtetëror apo vizita zyrtare në varrezat e dëshmorëve.

Sipas OVL-së, kjo heshtje përbën qëndrim politik dhe tregon përpjekje për t’u distancuar nga lufta që solli lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Në përmbyllje të reagimit, OVL e UÇK-së u ka rikujtuar institucioneve se Kosova, sipas tyre, nuk ka lindur nga neutraliteti, administrata apo konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Original Facebook objava