Qeveria Kurti vendos emrin e Zoran Gjingjiqit në një rrugë në Mitrovicën e Veriut, rikthehen debatet për të kaluarën e tij politike
Mitrovicë e Veriut – Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, është fotografuar të mërkurën gjatë vendosjes së tabelave me emërtime të reja të rrugëve në Mitrovicën e Veriut. Ndër emërtimet e reja që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik është edhe një rrugë që mban emrin e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq. Vendimi ka nxitur reagime të shumta, pasi Gjingjiq, ndonëse konsiderohej nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar si figurë reformiste në Serbi, asnjëherë nuk kërkoi falje publike për krimet dhe masakrat e kryera nga regjimi serb në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Debati është shtuar edhe për shkak të lidhjeve të tij politike dhe publike me Goran Radosavljeviqin, i njohur me nofkën “Guri”, ish-gjeneral i policisë serbe dhe ish-komandant i Xhandarmërisë së Serbisë. Sipas dokumentimeve dhe raportimeve të ndryshme, Radosavljeviq përmendet si pjesë e strukturave komanduese të forcave speciale serbe gjatë operacionit në Prekaz në mars të vitit 1998, ku u vra komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, së bashku me shumicën e familjes së tij. Emri i tij lidhet gjithashtu me ngjarjet e Raçakut më 15 janar 1999, ku u vranë dhjetëra civilë shqiptarë, një masakër që u dënua gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe që konsiderohet një nga ngjarjet kyçe që parapriu ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit. Pas luftës në Kosovë, Radosavljeviq u emërua komandanti i parë i Xhandarmërisë së rindërtuar të Serbisë, detyrë që e mbajti nga viti 2001 deri në vitin 2004, ndërsa më vonë u angazhua edhe në politikë. Vendosja e emrit të Zoran Gjingjiqit në një rrugë në veri të Kosovës ka hapur debat të ri publik mbi mesazhin politik të këtij vendimi dhe mbi figurat historike që po përzgjidhen për t’u nderuar në hapësirat publike të vendit. /Dragash Info/