“Kosova po zbrazet”: Mbi 10 mijë nxënës më pak për vetëm një vit, bien edhe regjistrimet në universitete
Kosova po përballet me një rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe studentëve, duke reflektuar sfidat demografike dhe emigrimin e familjeve jashtë vendit. Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, gjatë vitit shkollor 2025/2026 janë regjistruar rreth 10 mijë nxënës më pak në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët krahasuar me vitin paraprak. Numri i nxënësve në këtë nivel ka rënë nga 208,515 në vitin 2024/2025 në 198,639 në vitin 2025/2026. Rënie është shënuar edhe në arsimin e mesëm të lartë, ku numri i nxënësve ka zbritur nga 63,551 në 62,085. Edhe arsimi i lartë po përballet me tkurrje. Universitetet publike kanë humbur mbi 2,400 studentë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa kolegjet private kanë regjistruar rritje të numrit të studentëve. Përjashtim bën vetëm niveli parashkollor, ku është regjistruar një rritje e lehtë e numrit të fëmijëve të përfshirë në çerdhe dhe institucione parashkollore. Të dhënat e fundit nxjerrin në pah trendin e vazhdueshëm të rënies së numrit të të rinjve në sistemin arsimor të Kosovës, një tregues që lidhet me uljen e lindshmërisë dhe emigrimin e popullsisë në vitet e fundit. /Dragash Info/