Qendrore

Delegacione arbëreshe nga Italia i bashkohen festimit të 621-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prishtinë

01.05.2026. 2 min čitanja

Prishtina pritet të jetë në qendër të vëmendjes kombëtare më 6 maj 2026, me rastin e shënimit të 621-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në kuadër të këtij përvjetori, Organizata Shqiptaria, së bashku me partnerët e saj, ka organizuar një manifestim të veçantë në Sheshi Skënderbeu, ku pritet pjesëmarrja e delegacioneve arbëreshe nga Italia dhe përfaqësuesve të komunave arbëreshe. Sipas njoftimit, në këtë ngjarje do të marrin pjesë grupe dhe përfaqësues nga rajone të ndryshme arbëreshe, përfshirë delegacione nga Kalabria dhe San Marzano di San Giuseppe, si dhe përfaqësues nga komunat arbëreshe Piana degli Albanesi, Ururi dhe Chieuti. Pjesë e manifestimit do të jetë edhe Loris Castriota, pasardhës i familjes së Kastriotëve, prania e të cilit i jep një simbolikë të veçantë këtij organizimi. Organizatorët theksojnë se ardhja e delegacioneve arbëreshe është dëshmi e gjallë se fryma dhe trashëgimia e Skënderbeut vazhdojnë të jetojnë ndër breza, duke forcuar lidhjet historike dhe kulturore mes shqiptarëve kudo që ndodhen. Ky manifestim pritet të mbledhë qytetarë të shumtë, duke e kthyer Prishtinën në një qendër simbolike të unitetit dhe identitetit kombëtar shqiptar. 📍 Vendi: Sheshi Skënderbeu 🗓 Data: 6 Maj 2026 🕒 Ora: 16:00 — Dragash Info