Artan Loshaj reagon sërish për krizën e ujit në Dragash: “Marre, shumë marre!”
Asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Artan Loshaj, ka reaguar sërish lidhur me problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë të pijshëm në qytezën e Dragashit. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Loshaj ka kritikuar ashpër institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar situatën si të padrejtë dhe poshtëruese për qytetarët e Dragashit. “Marre, shumë marre! Për këtë gjendje që ke krijuar dhe çdo ditë e thellon më tepër, për këtë padrejtësi e poshtërim që po u bëhet qytetarëve të Dragashit, një ditë do të japësh llogari”, ka shkruar Loshaj. Ai ka ngritur pikëpyetje edhe rreth investimeve të bëra ndër vite në sistemin e ujësjellësit, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet për gjendjen aktuale. “Është e turpshme që pas kaq vitesh, qyteza të mbetet pa ujë, ndërsa uji merret dhe dërgohet nëpër fshatra. Për çka investuam miliona euro? Ku është përgjegjësia juaj?”, shprehet ai. Loshaj ka kritikuar gjithashtu komunikimin publik të institucioneve, duke thënë se publikimet në rrjetet sociale nuk e pasqyrojnë realitetin me të cilin po përballen qytetarët. “Me ato video sa për rrjete sociale që po postoni, mos mendoni se qytetarët janë të verbër e nuk shohin. Mos mendoni se nuk kuptojnë se çka po ndodh në realitet”, ka deklaruar ai. Në reagimin e tij, asambleisti i PDK-së shprehet se qytetarët janë lodhur dhe revoltuar nga situata, ndërsa paralajmëron edhe protesta nëse problemi nuk zgjidhet. “Seriozisht na ke lodhur, na ke revoltuar qytetarët. Nuk na ka mbetur tjetër, vetëm të dalim e të protestojmë. Do ta ngremë zërin fuqishëm derisa të dëgjohet zëri ynë”, ka shkruar Loshaj. Në fund të reagimit, ai e ka mbyllur me një apel të ashpër ndaj përgjegjësve: “Allahu ju gjykoftë për këtë padrejtësi ekstreme!” Problemi me furnizimin me ujë në qytezën e Dragashit vazhdon të jetë një nga çështjet më të diskutuara ditët e fundit, ndërsa qytetarët kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi për reduktimet dhe mungesën e ujit të pijshëm.