Botë

Abdixhiku merr përgjegjësinë për rezultatin e LDK-së, nuk e përjashton dorëheqjen Kryetari i Lidhjes Demokratike të K…

28.12.2025. 2 min čitanja

Abdixhiku merr përgjegjësinë për rezultatin e LDK-së, nuk e përjashton dorëheqjen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për rezultatin e partisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke mos e përjashtuar mundësinë e dorëheqjes nga posti i kryetarit.

Ai ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar do të merret në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili pritet të thirret në ditët në vijim.

“Duke marrë përgjegjësinë për këtë rezultat, do ta thërras Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së dhe para tij do t’i shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë që mbaj si kryetar.

Rezultati nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Ky është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se demokracia funksionon vetëm atëherë kur udhëheqësit marrin përgjegjësi edhe në raste humbjeje, duke shtuar se gjatë pesë viteve në krye të LDK-së ka bërë përpjekjet e tij për ta reformuar partinë.

“Kam vepruar sipas bindjes sime më të mirë, duke angazhuar profesionistë nga fusha të ndryshme, por sot e them hapur se nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku duhet të jetë”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka vlerësuar se rezultati zgjedhor ka qenë i papritur për të, ndërsa ka bërë të ditur se çdo opsion do të jetë i hapur për diskutim në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë.

Në fund, ai ka uruar fituesin e zgjedhjeve, duke theksuar se interesi shtetëror duhet të jetë mbi çdo interes partiak.

“Shteti është mbi secilin prej nesh. Le të shpresojmë se qytetarët kanë zgjedhur drejt këtë herë”, ka përfunduar Abdixhiku.

Original Facebook objava