Lushtaku: Nuk e uroj Kurtin, për mua është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës Kryetari i Komunës së Skënderaj…
Lushtaku: Nuk e uroj Kurtin, për mua është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se nuk do ta urojë asnjëherë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën.
Në një lidhje direkte në emisionin “Frontal” në T7, Lushtaku u pyet nëse do ta ndiqte shembullin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili më herët gjatë ditës e uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor.
“Jo, absolutisht jo. Ai ia ka vjedhur votat edhe kandidatit të PDK-së në Mitrovicë”, deklaroi Lushtaku.
Ai theksoi se qëndrimi i tij është personal dhe i ndarë nga ai i kryetarit të partisë.
“Bedriu është kryetar i partisë, ndërsa unë e kam mendimin tim personal. Unë asnjëherë nuk ia uroj dhe nuk dëshiroj që Albin Kurti të jetë kryeministër i vendit”, u shpreh ai.
Sipas Lushtakut, Kurti përfaqëson dëmin më të madh për shtetin e Kosovës.
“Unë konsideroj se Albin Kurti është e keqja më e madhe që i ka ndodhur ndonjëherë Republikës së Kosovës”, përfundoi Lushtaku.
Deklarata e tij vjen pas reagimeve të ndryshme brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe qasjen ndaj fituesit të tyre.