Osmani shpreh synimin për mandat të dytë: Deputetët duhet të vendosin në interes të vendit dhe të dëgjojnë vullnetin…
Osmani shpreh synimin për mandat të dytë: Deputetët duhet të vendosin në interes të vendit dhe të dëgjojnë vullnetin qytetar
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të vazhdojë mandatin e saj si shefe e shtetit, duke konfirmuar për herë të parë në mënyrë më të drejtpërdrejtë ambicien për një mandat të dytë presidencial.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Osmani theksoi se Kosovës i nevojitet vazhdimësi institucionale dhe se vendimi për presidentin e ardhshëm do të jetë në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duar të deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen”, deklaroi Osmani.
Diskutime me Kurtin dhe partitë politike
Presidentja bëri të ditur se për këtë çështje do të diskutojë edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, partia e të cilit ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare. Edhe vetë Kurti ka paralajmëruar se për çështjen e zgjedhjes së presidentes apo presidentit do të zhvillojë fillimisht bisedime me Osmanin, e më pas edhe me partitë opozitare.
“Ne do të diskutojmë natyrisht, ashtu siç kemi diskutuar edhe gjatë këtij mandati, se si t’i vazhdojmë punët e mira bashkarisht, sepse kjo, siç e dini, varet nga dy të tretat e deputetëve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Roli vendimtar i Kuvendit
Osmani theksoi se zgjedhja e presidentes apo presidentit kërkon mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, të cilët, sipas saj, duhet të udhëhiqen nga interesi i shtetit dhe vullneti i qytetarëve.
“Dy të tretat e deputetëve duhet të vendosin nëse duan ta mbrojnë interesin e vendit dhe nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se synimi i saj është vazhdimi i punëve të nisura dhe realizimi i projekteve që, sipas saj, janë në interes të Republikës së Kosovës.
“Synoj të vazhdoj punët e mira për qytetarët dhe për vendin tonë. Të arriturat e shumta dhe punët që na presin duhet të vazhdohen, sepse kjo është në interesin më të mirë të Republikës sonë. Megjithatë, jam plotësisht e vetëdijshme se kjo varet nga vendimi i dy të tretave të deputetëve”, theksoi Osmani.
Zgjedhja e presidentit në pranverë
Zgjedhja e presidentes apo presidentit të ri të Kosovës pritet të zhvillohet në pranverë, ndërsa procesi do të kërkojë konsensus të gjerë politik për të shmangur bllokada institucionale.