Veliu kërkon llogaridhënie nga Abdixhiku pas humbjeve të LDK-së: Askush nuk është mbi partinë Ish-nënkryetari i Komun…
Veliu kërkon llogaridhënie nga Abdixhiku pas humbjeve të LDK-së: Askush nuk është mbi partinë
Ish-nënkryetari i Komunës së Podujevës dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar publikisht pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura dje në Kosovë, ku LDK-ja u rendit në vendin e tretë.
Përmes një reagimi, Veliu ka theksuar se humbjet e njëpasnjëshme të partisë nuk janë të rastësishme, por sipas tij përbëjnë një verdikt të qartë politik nga qytetarët. Ai ka kritikuar mungesën e reflektimit dhe përgjegjësisë pas këtyre rezultateve.
“Humbjet radhazi nuk janë rastësi. Ato janë verdikt i qartë politik. Mosreflektimi pas tyre nuk është më gabim – është refuzim i përgjegjësisë”, ka deklaruar Veliu.
Ai ka shtuar se një parti që synon besimin e qytetarëve nuk mund të injorojë humbjet dhe të shmangë përgjegjësinë politike, duke kritikuar mbylljen ndaj kritikës, mungesën e analizës së brendshme dhe centralizimin e vendimmarrjes në parti.
Në reagimin e tij, Veliu ka kërkuar publikisht:
llogaridhënie politike për humbjet zgjedhore,
transparencë të plotë mbi proceset vendimmarrëse brenda LDK-së,
si dhe hapjen e menjëhershme të një procesi demokratik të brendshëm, me garë reale në të gjitha nivelet e partisë.
“Askush nuk është mbi partinë. Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja”, ka theksuar ai, duke shtuar se pa reflektim dhe ndryshim, drejtimi aktual nuk i shërben të ardhmes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.