Gazeta italiane Corriere della Sera: Kurti kryeson zgjedhjet dhe hyn në fazën finale për formimin e qeverisë Gazeta p…
Gazeta italiane Corriere della Sera: Kurti kryeson zgjedhjet dhe hyn në fazën finale për formimin e qeverisë
Gazeta prestigjioze italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një analizë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dalë forcë e parë.
Sipas gazetës, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Vetëvendosje ka siguruar rreth 49.41% të votave, duke konfirmuar dominimin e saj në skenën politike të vendit dhe duke e vendosur Kurtin në qendër të procesit për formimin e qeverisë së re.
Albin Kurti, 50 vjeç, përshkruhet si figurë kyçe e politikës kosovare, i cili gjatë një fushate intensive dyjavore u fokusua në premtime sociale dhe ekonomike, të orientuara kryesisht drejt pensionistëve, familjeve të reja dhe punonjësve të sektorit publik. Programi i tij, sipas Corriere della Sera, bazohet në rritje të investimeve, forcim të shtetit ligjor dhe luftë kundër korrupsionit.
Megjithatë, sfida kryesore për Kurtin mbetet ndërtimi i një shumice funksionale në një parlament të fragmentuar, pasi Vetëvendosje nuk ka arritur shumicën absolute për të qeverisur e vetme. Presidentja Vjosa Osmani pritet t’i japë mandatin për formimin e qeverisë, duke e vendosur edhe një herë Kurtin në epiqendër të zhvillimeve politike në Kosovë.
“Che Guevara i Ballkanit”
Në shkrimin e saj, Corriere della Sera e cilëson Kurtin si një figurë “populiste” dhe e përshkruan atë si “Che Guevara i Ballkanit”, duke iu referuar stilit të tij politik dhe qëndrimeve të forta, veçanërisht në raport me Serbinë.
Gazeta thekson se, ndonëse Kurti gëzon mbështetje të konsiderueshme të brendshme, politikat e tij ndaj komunitetit serb dhe dialogut me Beogradin kanë shkaktuar tensione me Bashkimin Evropian dhe, në disa raste, edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Artikulli vë në dukje se marrëdhëniet Kosovë–Serbi mbeten çështja më e ndjeshme, ndërsa sanksionet evropiane dhe prania e vazhdueshme e trupave të NATO-s, përfshirë kontingjentin italian, dëshmojnë për kompleksitetin e situatës politike dhe të sigurisë në rajon.
Artikull i përkthyer në mënyrë jozyrtare nga gazeta italiane Corriere della Sera.