Gani Koci ngre akuza ndaj rrethit të kryeministrit Kurti Ish-deputeti Gani Koci ka reaguar publikisht me akuza të rën…
Gani Koci ngre akuza ndaj rrethit të kryeministrit Kurti
Ish-deputeti Gani Koci ka reaguar publikisht me akuza të rënda ndaj një pjese të rrethit të kryeministrit Albin Kurti dhe partisë së tij.
Në një postim të tij, Koci pretendon se Aziz (Hetem) Kryeziu, babai i Përparim Kryeziut, zëdhënës i kryeministrit Kurti dhe i Qeverisë së Kosovës, ka qenë ish-milic i Serbisë, i emëruar në një njësi të veçantë në vitin 1990, në një periudhë kur, sipas tij, shumica dërrmuese e milicëve shqiptarë kishin braktisur atë shërbim.
Sipas Kocit, persona me të kaluar të tillë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të rrethit politik të kryeministrit Kurti. Ai shprehet se kjo, sipas bindjes së tij, është një nga arsyet kryesore të gjendjes aktuale politike dhe institucionale në Kosovë.
“Qytetarë të nderuar, shihni se kë e përkrahni”, shkruan Koci, duke u bërë thirrje qytetarëve për reflektim mbi mbështetjen politike që japin.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Përparim Kryeziu apo nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këto pretendime.


