Botë

Gashi demanton Presidenten Osmani: KQZ ishte gati për zgjedhje edhe më 21 dhjetor Përfaqësuesi i Partisë Demokratike…

02.01.2026. 2 min čitanja

Gashi demanton Presidenten Osmani: KQZ ishte gati për zgjedhje edhe më 21 dhjetor

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka demantuar deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte thënë se KQZ nuk ishte e gatshme të organizonte zgjedhje më 21 dhjetor.

Përmes një sqarimi publik, Gashi ka theksuar se KQZ ka qenë e përgatitur për organizimin e zgjedhjeve si më 21 dhjetor ashtu edhe më 28 dhjetor, duke shtuar se KQZ, si institucion, asnjëherë nuk është pyetur zyrtarisht për përcaktimin e datës së zgjedhjeve.

Sipas tij, pas takimit të Presidentes me përfaqësues të partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve, ai dhe anëtari tjetër i KQZ-së, Arianit Elshani, janë takuar me Kryetarin e KQZ-së, të cilit i kanë kërkuar që në rast se ftohet në konsultime nga Presidentja, të ketë parasysh dy parime themelore.

“E para, KQZ ka obligim ligjor t’i organizojë zgjedhjet sa herë që ato shpallen. E dyta, KQZ nuk duhet të bëhet palë në përcaktimin e datës së zgjedhjeve, pasi kjo nuk është kompetencë e saj dhe nuk përfaqëson qëndrim institucional”, ka theksuar Gashi.

Ai ka shtuar se çdo deklaratë apo rekomandim i dhënë Presidentes lidhur me gatishmërinë e KQZ-së për datën e zgjedhjeve mund të ketë qenë qëndrim personal i ndonjë individi, dhe jo vendim apo qëndrim zyrtar i KQZ-së.

“Në asnjë moment KQZ, si trup, nuk ka diskutuar dhe nuk ka marrë vendim për t’i rekomanduar Presidentes një datë të caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka përfunduar Gashi.

Original Facebook objava