Botë

Transkripti i marrjes në pyetje të Jack Smith: Pse drejtësia amerikane ishte e interesuar për Gjykatën Speciale?

02.01.2026. 4 min čitanja

Transkripti i marrjes në pyetje të Jack Smith: Pse drejtësia amerikane ishte e interesuar për Gjykatën Speciale?

Më 17 dhjetor 2025, ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale në Hagë, Jack Smith, është intervistuar nga Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij për çështjet që lidhen me ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Edhe pse intervistimi kishte për qëllim hetimet për rastet ndaj Trumpit dhe pretendimet për ndërhyrje në proceset zgjedhore, në transkriptin e publikuar të intervistës përmendet në mënyrë të veçantë edhe puna e Smithit në Gjykatën Speciale të Hagës, si dhe interesimi që kishin treguar zyrtarë të lartë të drejtësisë amerikane për këtë proces.

Transkriptin e plotë e ka parë Dragash Info.

Takime me figurat kyçe të drejtësisë amerikane
Në dëshminë e tij, Jack Smith flet për takime të zhvilluara me Lisa Monaco, ish-zëvendësprokurore e përgjithshme e SHBA-së (2021–2025), si dhe me Merrick Garland, Prokuror i Përgjithshëm i SHBA-së, dhe Marshall Miller, me të cilët kishte bashkëpunuar më herët.

Nga përgjigjet e Smithit del në pah se Lisa Monaco, një nga figurat më të fuqishme të drejtësisë amerikane në atë periudhë, kishte shprehur interesim të drejtpërdrejtë për punën e tij në Gjykatën Speciale të Hagës.

Sipas Smithit, takimi kishte ndodhur në tetor të vitit 2022, kur ai kishte udhëtuar nga Haga drejt SHBA-së gjatë pushimeve vjetore.

“Cila ishte tema e këtyre dy takimeve, atij me znj. Monaco dhe atij me z. Garland?”, e pyet një anëtar i Komitetit.

“Ata më pyetën për punën time në Hagë”, përgjigjet Smith. “Kjo ishte tema kryesore e të dy bisedave. Gjatë të njëjtit udhëtim, u takova edhe me Departamentin e të Drejtave të Njeriut për të diskutuar punën që po bëja në Hagë për Departamentin e Shtetit”.

I pyetur më tej nëse temat kishin lidhje me hetimet ndaj Trumpit apo me emërimin e tij si këshilltar special, Smith mohon një gjë të tillë.
“Puna ime në Hagë, përvoja ime si prokuror dhe mënyra se si e shihja drejtësinë. Nuk u diskutuan këto hetime”, thekson ai.

Pse u largua nga Gjykata Speciale?

Në intervistë, Jack Smith shpjegon edhe arsyet pse vendosi ta linte në mes mandatin e tij në Gjykatën Speciale, për t’u rikthyer në SHBA dhe për të udhëhequr hetimet ndaj Donald Trumpit.
“Më pëlqente shumë puna ime në Hagë. Por për arsye familjare, nëse do të më jepej mundësia e duhur, do të isha i gatshëm të kthehesha në SHBA. Kjo është një nga arsyet pse fola me z. Miller”, deklaron Smith.

Hetimet ndaj Smith dhe rastet ndaj Trumpit
Komiteti Gjyqësor, i udhëhequr nga republikanët, po heton atë që e cilëson si ndjekje penale të motivuara politikisht ndaj Donald Trumpit, të udhëhequra nga Jack Smith.

Trump ishte paditur në dy raste të ndara federale, me mbi 40 akuza, për:

mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021;

përpjekje të dyshuara për të minuar transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Trump i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar hetimet si “gjueti shtrigash” të motivuara politikisht.

Të dy rastet u mbyllën pasi Trump fitoi mandatin e dytë presidencial në nëntor 2024.

Ndërkohë, me republikanët që kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, Jack Smith është bërë vetë objekt hetimesh, si nga ligjvënës republikanë, ashtu edhe nga Zyra e Këshilltarit të Posaçëm.

Trump ka vazhduar sulmet publike ndaj Smithit, duke e quajtur atë “të çmendur” dhe “kriminel”.

/Dragash Info

Original Facebook objava