Kapja e Maduros nga SHBA, Rusia reagon ashpër Rusia ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Shteteve të Bashkuara të Amer…
Kapja e Maduros nga SHBA, Rusia reagon ashpër
Rusia ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, duke i cilësuar ato si akt agresioni të armatosur dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar sot, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka shprehur “shqetësim të thellë” për zhvillimet e fundit, duke thënë se veprimet e SHBA-së kundër Venezuelës janë të pajustifikueshme.
“Pretekstet e përdorura për të justifikuar këto veprime janë të paqëndrueshme. Armiqësia e ideologjizuar ka mbizotëruar ndaj angazhimit pragmatik dhe çdo gatishmërie për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri”, thuhet në reagimin e diplomacisë ruse.
Rusia ka rikujtuar se Venezuela përbën aleatin e saj më të rëndësishëm tregtar dhe ushtarak në Amerikën Latine.
Sipas Moskës, në këtë situatë është “thelbësore” të parandalohet çdo përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit. “Duhet të përqendrohemi në gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut”, theksohet në deklaratë.
“Ne nisemi nga mirëkuptimi se të gjitha palët që mund të kenë ankesa kundër njëra-tjetrës duhet të kërkojnë zgjidhje përmes mekanizmave të bazuar në dialog. Jemi të gatshëm të mbështesim përpjekje të tilla.
Amerika Latine duhet të mbetet një zonë paqeje, siç u shpall në vitin 2014. Venezuelës duhet t’i garantohet e drejta për të përcaktuar fatin e saj, e lirë nga çdo ndërhyrje e jashtme shkatërruese, e aq më pak ushtarake”, thuhet më tej.
Rusia ka shprehur solidaritet me “popullin venezuelian” dhe ka riafirmuar mbështetjen për udhëheqjen bolivariane të vendit, duke theksuar se ajo synon mbrojtjen e sovranitetit dhe interesave kombëtare të Venezuelës.
Gjithashtu, Moska ka mbështetur thirrjet e autoriteteve venezueliane dhe të disa vendeve të Amerikës Latine për thirrjen urgjente të një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas deklaratës, ambasada ruse në Karakas vazhdon të funksionojë normalisht, duke ndjekur nga afër situatën në terren dhe duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me autoritetet lokale dhe shtetasit rusë në Venezuelë.
“Deri më tani nuk ka informacione që ndonjë qytetar i Federatës Ruse të jetë plagosur”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja ka kryer sulme kundër Venezuelës dhe se forcat amerikane kanë kapur presidentin venezuelian Nicolas Maduro, si dhe bashkëshorten e tij.