Botë

Komuna e Dragashit prezanton investitorë nga Pakistani për bashkëpunim në bujqësi Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e K…

05.01.2026. 2 min čitanja

Komuna e Dragashit prezanton investitorë nga Pakistani për bashkëpunim në bujqësi

Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e Komunës së Dragashit do të organizojë të martën, më 06 janar 2026, një takim informativ dhe debat të hapur me fermerë dhe qytetarë të interesuar, lidhur me mundësitë e investimeve në sektorin e bujqësisë.

Takimi do të mbahet nga ora 11:00, në Sallën e Kuvendit të Komunës së Dragashit, dhe organizohet në bashkëpunim me kompanitë “Count on Crops LLC Kosovo” dhe “Maymaar Engineering (Pvt) LTD” nga Pakistani.

Sipas njoftimit të Komunës së Dragashit, qëllimi i këtij takimi është prezantimi i investitorëve nga Pakistani, të cilët kanë shprehur interesim për investime konkrete në bujqësi, si dhe informimi i qytetarëve mbi mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e kulturave të ndryshme bujqësore.

Gjatë takimit, fermerët dhe qytetarët që janë të interesuar për dhënien me qira të pronave private për qëllime bujqësore do të kenë mundësinë të marrin pjesë në debat, të parashtrojnë pyetje dhe të informohen drejtpërdrejt për kushtet, kriteret dhe format e bashkëpunimit me investitorët.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe investitorë të tjerë të interesuar për zhvillimin e projekteve bujqësore në territorin e Komunës së Dragashit.

Nga Komuna theksohet se ky takim ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik lokal, ndaj ftohen të gjithë fermerët dhe qytetarët e interesuar që të marrin pjesë dhe të shfrytëzojnë mundësinë për informim dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë.

— Dragash Info

Original Facebook objava