Botë

Kjo nuk është më çështje individuale – është sfidë për UÇK-në dhe shtetin e Kosovës Kjo çështje nuk ka të bëjë më vet…

05.01.2026. 3 min čitanja

Kjo nuk është më çështje individuale – është sfidë për UÇK-në dhe shtetin e Kosovës

Kjo çështje nuk ka të bëjë më vetëm me Hashim Thaçin si individ. Ajo tashmë prek drejtpërdrejt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, pretendohet se UÇK-ja ka qenë e përfshirë në një fushatë të qëllimshme kundër civilëve serbë pas qershorit të vitit 1999. Jo si reagim spontan pas luftës, jo si hakmarrje individuale apo e izoluar, por si veprim i organizuar për të ndryshuar përbërjen etnike dhe për të ndikuar në negociatat për statusin politik të Kosovës.

Sipas dokumentit zyrtar të Prokurorisë, gjatë verës së vitit 1999 thuhet se rreth 50 civilë serbë në javë humbnin jetën. Flitet për vrasje, rrëmbime, dëbime të detyruara, plaçkitje dhe zjarrvënie. Prokuroria pretendon se këto veprime ishin të organizuara, me hierarki, komandë dhe kontroll, dhe se shumë nga autorët ishin pjesëtarë të UÇK-së. Në këtë narrativë, Hashim Thaçi paraqitet si figurë qendrore e strukturës vendimmarrëse.

Këto pretendime përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj narrativës së luftës çlirimtare dhe ndaj legjitimitetit moral e historik të shtetit të Kosovës. Nëse kjo qasje pranohet pa kundërpërgjigje serioze, ekziston rreziku që lufta çlirimtare të barazohet moralisht me agresorin – një zhvillim me pasoja të rënda politike, historike dhe shtetërore.

Kjo nuk është më vetëm një betejë juridike. Është një betejë për të vërtetën historike dhe për mënyrën se si do të shkruhet e ardhmja e Kosovës në dokumentet ndërkombëtare.

Dokumenti është zyrtar. Gjuha është e rëndë. Pasojat potenciale janë edhe më të rënda.

Në këtë kontekst, heshtja nuk përbën neutralitet. Heshtja rrezikon të shndërrohet në dorëzim. Nëse kjo narrativë mbetet pa kundërargumentim institucional, diplomatik dhe profesional, ajo mund të kthehet në “të vërtetë zyrtare” në sytë e botës.

Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë – tani, jo më vonë. Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi duhet të flasin me zë të qartë, të mbrojnë karakterin çlirimtar të UÇK-së dhe të angazhohen seriozisht në planin juridik, diplomatik dhe historik, për të mbrojtur të vërtetën dhe themelet e shtetit.

Çfarë thuhet në dokumentin e përkthyer:

“Në verën e vitit 1999, sulmet ndaj civilëve serbë, që rezultuan fillimisht me rreth 50 vdekje në javë, nuk ishin thjesht hakmarrje, por një përpjekje e qëllimshme për të ndikuar në demografinë dhe negociatat e ardhshme për statusin e Kosovës. Po ndodhnin vrasje dhe rrëmbime të profilit të lartë të serbëve të Kosovës, si dhe dëbime të detyruara, plaçkitje dhe zjarrvënie. Autorët vepronin në mënyrë të organizuar, me një formë hierarkie, komandimi dhe kontrolli, dhe kishte indikacione të qarta se shumë prej autorëve ishin anëtarë të UÇK-së.”

— Dragash Info

Original Facebook objava