Botë

Hargreaves kërkon Qeveri vendimtare, President pa zgjedhje të reja dhe guxim në dialogun me Serbinë Ambasadori i Mbre…

05.01.2026. 3 min čitanja

Hargreaves kërkon Qeveri vendimtare, President pa zgjedhje të reja dhe guxim në dialogun me Serbinë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka kërkuar formimin e një qeverie stabile dhe funksionale, zgjedhjen e presidentit pa shkuar në zgjedhje të reja, si dhe guxim politik në dialogun me Serbinë.

Këto janë tri nga dhjetë dëshirat që diplomati britanik i ka shprehur në një opinion të publikuar në gazetën Koha, ku ai analizon gjendjen politike dhe institucionale të Kosovës në prag të vitit 2026.

Sipas Hargreaves, viti 2025 ka qenë një “vit i humbur për Kosovën”, ndërsa 2026-ta duhet të shfrytëzohet si mundësi për të rikthyer besimin politik dhe ekonomik, si brenda vendit ashtu edhe te partnerët ndërkombëtarë dhe investitorët e huaj.

Kërkesë për Qeveri stabile dhe funksionale

Ambasadori britanik thekson se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Tani që kanë përfunduar zgjedhjet, Kosovës i nevojitet urgjentisht një Kuvend dhe një Qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe zgjedhja e Presidentit pa pasur nevojë për një palë zgjedhje të tjera”, shkruan Hargreaves.

Ai u bën thirrje politikanëve që të kapërcejnë mosbesimin e ndërsjellë dhe ambiciet personale, duke theksuar se miratimi i buxhetit dhe marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare me vlerë qindra miliona euro është jetik për stabilitetin e vendit.

Sipas tij, një qeveri që zbaton Kushtetutën gjithëpërfshirëse dhe shumetnike do të dërgonte sinjale të qarta të pjekurisë politike dhe besueshmërisë ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Guxim politik në dialogun me Serbinë

Një tjetër pikë e rëndësishme e opinionit të ambasadorit britanik ka të bëjë me dialogun Kosovë–Serbi. Hargreaves thekson se Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe mençuri politike për të marrë iniciativën në këtë proces.

“Qeveria e re në Kosovë duhet të ketë guxim dhe mençuri politike për të punuar, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, drejt një paqeje të qëndrueshme me fqinjin e saj”, shkruan ai.

Ambasadori nënvizon se progresi në dialog është i rëndësishëm jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për rrugën evropiane të Kosovës.

Opinionet e Hargreaves vijnë në një periudhë delikate politike për Kosovën, kur vendi përballet me sfida të brendshme institucionale dhe pritshmëri të larta nga partnerët ndërkombëtarë.

— Dragash Info

Original Facebook objava