Azemi: Mbi 200 mijë punëtorë të sektorit privat kanë emigruar brenda katër viteve Punëtorët e sektorit privat dhe pub…
Azemi: Mbi 200 mijë punëtorë të sektorit privat kanë emigruar brenda katër viteve
Punëtorët e sektorit privat dhe publik në Kosovë janë përballur me përkeqësim të ndjeshëm të kushteve ekonomike dhe sociale gjatë vitit 2025, si pasojë e mosformimit të institucioneve të reja dhe funksionimit të vendit me Qeveri në detyrë për gati një vit.
Përfaqësuesit sindikalë paralajmërojnë se situata është alarmante dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm nga Qeveria e ardhshme.
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se punëtorët janë lënë pa mbrojtje institucionale dhe se premtimet e dhëna që nga viti 2021 nuk janë realizuar.
Sipas tij, inflacioni ka rënduar edhe më tej gjendjen ekonomike të punëtorëve të sektorit privat, duke i bërë ata më të varfër se në vitet e mëparshme, ndërsa dialogu social mes Qeverisë dhe sindikatave ka munguar pothuajse tërësisht.
Emigrim masiv i fuqisë punëtore
Azemi ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit mbi 200 mijë të punësuar, kryesisht nga sektori privat, kanë emigruar nga Kosova, duke e cilësuar këtë fenomen si një alarm serioz për ekonominë e vendit.
“Për katër vite kemi mbi 200 mijë të punësuar, sidomos në sektorin privat, të ikur. Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë dhe ne sot vetëm sa po mbijetojmë”, ka deklaruar Azemi.
Pagë minimale e pazbatuar dhe vonesa të pagave
Kreu i Sindikatës ka ngritur shqetësime edhe për moszbatimin e vendimit për pagën minimale, duke thënë se edhe pse ajo është miratuar në vlerë prej 350 euro, shumë punëtorë vazhdojnë të paguhen nën këtë nivel.
“Edhe sot kemi punëtorë që marrin pagë 292 euro, ndonëse vendimi për pagën minimale është 350 euro”, tha ai.
Azemi ka përmendur gjithashtu raste të punëtorëve të sektorit privat, të angazhuar në kompani publiko-private që financohen nga buxheti i shtetit, të cilët nuk kanë marrë paga për tre deri në katër muaj.
Sipas tij, kjo situatë është pasojë e mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe funksionimit joefikas të sistemit udhëheqës të shtetit.
Përfaqësuesit sindikalë kërkojnë që Qeveria e ardhshme të vendosë në prioritet dialogun social, rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjeve ekzistuese, duke paralajmëruar se në të kundërtën, emigrimi dhe varfëria do të vazhdojnë të thellohen.
— Dragash Info