PDK Zvicër: Qemajl Rexhepi nuk përfaqëson Degën, reagim pas postimit për rezultatet e zgjedhjeve Kryesia e Degës së P…
PDK Zvicër: Qemajl Rexhepi nuk përfaqëson Degën, reagim pas postimit për rezultatet e zgjedhjeve
Kryesia e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Zvicër ka reaguar pas një shkrimi të publikuar nga Qemajl Rexhepi, ish-anëtar i kryesisë së degës dhe aktualisht i dorëhequr.
Në reagimin e nënkryetarit të degës, Mujë Haziri, thuhet se Rexhepi ka keqpërdorur fotografinë duke u paraqitur bashkë me ish-këshilltarin e Presidentit Thaçi, Ismail Sylën, dhe se ai ka mashtruar publikun kur deklaroi se është pjesë e strukturave të PDK-së.
“Qemajl Rexhepi nuk përfaqëson asnjë nivel të strukturave të PDK-së në Zvicër, dhe për çështjet e organizimit merren ekskluzivisht organet zyrtare të Degës,” thuhet në reagim.
Haziri sugjeron që Rexhepi të merret me organizimin në vendin ku jeton dhe vepron, ndërsa strukturat legjitime në Zvicër do të merren me përgjegjësitë e tyre.
Në reagim gjithashtu theksohet se të gjithë duhet të presin përfundimin e numërimit dhe certifikimin e rezultateve të datës 28 Dhjetor, dhe se Kryesia Qendrore e PDK-së duhet të bëjë një analizë të përgjithshme të procesit zgjedhor për të dhënë rekomandime për degë të veçanta.
Sipas nënkryetarit Haziri, nxituarja për të identifikuar “fajtorët” nuk kontribuon në klimën e brishtë brenda partisë, dhe kushdo që dëshiron të kontribuojë duhet të marrë pjesë në procesin zgjedhor të brendshëm që pritet këtë pranverë.
— Dragash Info