Të shtëna me armë zjarri në Prizren, dy persona të plagosur Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënav…
Të shtëna me armë zjarri në Prizren, dy persona të plagosur
Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmë rreth orës 22:50 në rrugën “Ali Hadri” në Prizren.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
“Sapo është pranuar informata, patrullat policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Të dyshuarit nuk janë hasur në vendngjarje. Sipas informatave të siguruara në terren, si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka pasur persona të plagosur, të cilët janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. Sipas ekipit mjekësor, viktimat F.T. dhe V.H., të dy nga Prizreni, janë jashtë rrezikut për jetë dhe po vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka shtuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësi të ndryshme policore, përfshirë hetuesit kujdestar nga Stacioni Policor në Prizren dhe hetues nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.
“Gjithashtu, në emergjencën spitalore janë angazhuar patrulla policore për sigurimin e viktimave gjatë trajtimit mjekësor. Lidhur me rastin janë njoftuar edhe Hetimet Rajonale.
Rasti është duke u hetuar dhe policia është në proces të identifikimit dhe arrestimit të personave të përfshirë”, ka theksuar Bytyqi.
— Dragash Info