Botë

“Flisnin familjarisht”: Gazeta zvicerane zbulon takime të fshehta mes Besnik Bislimit dhe Marko Gjuriqit Gazeta prest…

06.01.2026. 3 min čitanja

“Flisnin familjarisht”: Gazeta zvicerane zbulon takime të fshehta mes Besnik Bislimit dhe Marko Gjuriqit

Gazeta prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) ka publikuar një artikull që ka nxitur reagime të shumta, duke pretenduar për takime të fshehta, joformale dhe të përsëritura mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, në qytetin zviceran Solothurn.

Sipas NZZ-së, takimet janë zhvilluar për vite me radhë në kuadër të bisedimeve konfidenciale që organizohen nga autoritetet zvicerane, ndërsa mënyra e komunikimit mes dy zyrtarëve ka habitur edhe njohësit e konfliktit Kosovë–Serbi.

“Përfaqësuesit e të dyja palëve flisnin aq familjarisht me njëri-tjetrin, saqë edhe ata që ishin të njohur me konfliktin u habitën”, shkruan NZZ.

Gazeta përshkruan edhe skena konkrete, ku një politikan i lartë kosovar dhe një serb janë parë duke ecur së bashku në qytetin e vjetër të Solothurnit drejt hotelit të tyre, pas një darke, larg syrit të publikut.

Ndonëse “NZZ am Sonntag” kishte raportuar për herë të parë për këto bisedime në vitin 2022, dhe gazeta “Blick” kishte shkruar në nëntor të vitit 2025 për një takim me rreth një duzinë politikanësh, deri më tani nuk ishte bërë e ditur publikisht se në këto takime merrnin pjesë rregullisht edhe ministra dhe negociatorë të nivelit të lartë nga të dyja palët.

Sipas burimeve të cituara nga NZZ, në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë Besnik Bislimi, si përgjegjës për dialogun me Beogradin nga pala kosovare, dhe Marko Gjuriq, kryediplomat i Serbisë dhe ish-ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Organizimi i këtyre takimeve është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës. Roland Salvisberg, përfaqësues i MPJ-së zvicerane, ka bërë të ditur se këto takime zhvillohen dy deri në tre herë në vit.

“Dialogu që nga fillimi ka pasur për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve midis figurave kyçe nga të gjitha partitë kryesore serbe dhe kosovare”, ka deklaruar Salvisberg, kreu i seksionit përkatës në Divizionin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut të FDFA-së.

Zbulimi i këtyre takimeve ka hapur debate mbi transparencën e procesit të dialogut, rolin e diplomacisë së heshtur dhe kontrastin mes retorikës publike dhe komunikimit prapa skenave.

— Dragash Info

Original Facebook objava