Si mund të përfitojë Kosova nga marrëveshjet me Serbinë, pa e paralizuar shtetin?
Si mund të përfitojë Kosova nga marrëveshjet me Serbinë, pa e paralizuar shtetin?
Marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë shpesh trajtohen në diskursin publik si fitore absolute ose si tradhti kombëtare. Në realitet, ato nuk janë as njërën e as tjetrën në vetvete.
Marrëveshjet janë instrumente politike dhe juridike – si një thikë që mund të përdoret për ndërtim ose për shkatërrim. Dëmi apo përfitimi nuk buron nga fjalia e shkruar, por nga mënyra se si ato zbatohen dhe nga forca e shtetit që i administron.
Problemi i Kosovës nuk ka qenë mungesa e marrëveshjeve, por mungesa e një strategjie shtetërore për menaxhimin e tyre pas nënshkrimit.
Asnjë obligim pa kundër-obligim
Parimi themelor duhet të jetë i qartë: asnjë detyrim i Kosovës pa një kundër-detyrim të qartë, të verifikueshëm dhe të zbatueshëm për Serbinë. Pa këtë parim, marrëveshjet prodhojnë asimetri strukturore – Kosova zbaton, ndërsa Serbia manovron.
Zbatimi nuk duhet të jetë linear dhe i njëanshëm, por reciprok dhe i kushtëzuar. Çdo hap i pabalancuar e dobëson shtetin dhe e zhvendos Kosovën nga subjekt i procesit në objekt presioni.
Asociacioni: nga rrezik politik në mekanizëm juridik të kontrolluar
Nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe është bërë i pashmangshëm për shkak të obligimeve ndërkombëtare të pranuara në Ohër, atëherë ai duhet të zhvishet nga çdo element autonomie politike. Ai mund të ekzistojë vetëm si mekanizëm koordinues administrativ, pa kompetenca ekzekutive, pa të drejtë bllokimi, pa hierarki mbi komunat dhe pa subjektivitet politik.
Çdo tejkalim i këtyre kufijve duhet të trajtohet jo politikisht, por kushtetueshëm, përmes Gjykatës Kushtetuese. Rreziku nuk qëndron në ekzistencën formale të një strukture, por në shndërrimin e saj në pushtet paralel.
Autonomia pa emër – por me pasoja reale
Siç ka theksuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, Marrëveshja e Ohrit nuk e shpall autonominë me emër, por e garanton atë përmes mekanizmave funksionalë: vetëmenaxhim i veçantë, koordinim horizontal, financim nga Serbia dhe mbrojtje ndërkombëtare.
Në terminologji kushtetuese, kjo përbën autonomi funksionale, edhe nëse nuk quhet kështu. Prandaj rreziku nuk është retorik, por juridik dhe afatgjatë.
Financimi nga Serbia: problem vetëm kur është i padukshëm
Paraja nuk është problem në vetvete. Problemi lind kur ajo është e pakontrolluar dhe e paaudituar. Çdo financim nga Serbia duhet të jetë transparent, i raportuar publikisht dhe i mbikëqyrur institucionalisht. Vetëm kështu ndikimi politik shndërrohet në çështje teknike dhe humb fuqinë destabilizuese.
Ohri si instrument presioni ndaj Serbisë
Marrëveshja e Ohrit nuk duhet parë vetëm si listë obligimesh për Kosovën. Ajo është edhe bazë për presion diplomatik ndaj Serbisë. Çdo lobim kundër Kosovës, çdo bllokim në organizata ndërkombëtare, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes që Serbia vetë e ka pranuar.
Narrativi duhet të ndryshojë: problemi nuk është “Kosova nuk po zbaton”, por “Serbia po e shkel marrëveshjen”.
Shteti i fortë i mbijeton edhe marrëveshjes së keqe
Asnjë marrëveshje nuk e rrënon një shtet funksional. Ajo e rrënon vetëm një shtet të brishtë. Prandaj debati nuk duhet të kufizohet vetëm te Serbia, por te kapaciteti i brendshëm i Kosovës për të mbrojtur rendin kushtetues.
Institucione funksionale, Gjykatë Kushtetuese aktive dhe një minimum uniteti politik janë garancia e vetme që asnjë marrëveshje të mos shndërrohet në minë shtetërore.
Kosova nuk përfiton duke refuzuar çdo marrëveshje, as duke i pranuar ato verbërisht.
Përfiton vetëm kur negocion me kushte, zbaton me kontroll dhe mbron interesin shtetëror me qartësi juridike dhe politike.
Marrëveshjet janë realitet. Pyetja e vetme është:
a do t’i menaxhojmë si shtet, apo do të na menaxhojnë ato neve?
Diskursi i politikës dhe i mediave duhet ndryshuar rrënjësisht.
Autoriale: Selver Islamaj
Ish-diplomat, historian, politolog, publicist, konsulent dhe sipërmarrës
— Dragash Info