Qendrore

Detaje tronditëse për spiunin e dyshuar të BIA-s: Shfaqej pranë ish-presidentes, përkrahte Asociacionin

13.08.2026. 4 min čitanja

width= width=   Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), shërbimi serb i inteligjencës, dyshohet se ka arritur të depërtojë edhe në nivele të larta të institucioneve të Kosovës.   Një fotografi e publikuar nga Presidenca e Kosovës në dhjetor të vitit 2023, ngre pikëpyetje në këtë drejtim.   Fotografia e shkrepur rreth dy vjet më parë, shfaq të arrestuarin për spiunazh për BIA-n serbe, Fehim Salin, pranë ish-presidentes së Kosovës.   Sali, i arrestuar të enjten në një operacion anti-spiunazh të autoriteteve kosovare, po merrte pjesë në një takim për fundvit të organizuar nga ish-presidentja Osmani me anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete. I dyshuari për spiunazh shërbente si anëtar i këtij këshilli.   Pjesë e këshillit, i cili është një organ që operon nën autoritetin e Presidentit të Kosovës, Sali ishte emëruar me vendim të Vjosa Osmanit në nëntor të vitit 2022.   Autoritetet kosovare dyshojnë se Sali ka bashkëpunuar me BIA-n serbe për një periudhë të gjatë, sipas një raportimi të Radio Televizionit të Kosovës. Në artikull, nuk specifikohet saktësisht periudha kohore e bashkëpunimit.   Në një tjetër fotografi të publikuar në rrjetet sociale të enjten pas arrestimit të tij, Sali shfaqet në shoqërinë e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq. width= Aktualisht, Sali punonte si mësimdhënës në një institucion publik arsimor në fshatin Rapçë të Dragashit.   Çka është Këshilli Konsultativ për Komunitete?   Fehim Sali ishte emëruar anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete me mandat dy-vjeçar.   Caktimin e tij në këtë funksion e kishte dekretuar ish-presidentja Vjosa Osmani më 8 nëntor të vitit 2022.   Sipas Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre, anëtarët e këshillit emërohen në bazë të kandidimeve nga vetë komunitetet përmes organizatave të tyre përfaqësuese.   Presidenti i emëron ata zyrtarisht si anëtar, thotë i njëjti Ligj.   Fehim Sali përfaqësonte OJQ-në “Neven” në Këshillin Konsultativ për Komunitete, sipas një raporti të OSBE-së të emërtuar “Profilet e Komuniteteve në Kosovë”, i publikuar në vitin 2024.   Roli kryesor i Këshillit Konsultativ është të shërbejë si urë komunikimi mes komuniteteve dhe institucioneve të Kosovës. Këshilli nuk është organ ekzekutiv. Ai është kryesisht një mekanizëm konsultimi dhe përfaqësimi i komuniteteve. width= width= Kandidat në zgjedhjet lokale, përkrahte Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe   Fehim Sali shtynte agjendën serbe në Kosovë që nga viti 2013, tregojnë paraqitjet e tij mediale.   Si kandidat për Asamblenë Komunale të Dragashit në zgjedhjet e vitit 2013, ai zotohej se do të angazhohej që Komuna e Dragashit të bëhej pjesë e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e asociacionit në Bruksel.   Sali garonte për asamble si pjesë e listës së koalicionit “Stranka Demokratske Akcije dhe Social-Demokratska Stranka Gore”, dy subjekte politike nga Dragashi.   Në një debat televiziv të organizuar nga Medija Centar në Serbi, Sali deklaronte se koalicioni ka shtrirë dorën e tij për ndihmë edhe te Qeveria e Serbisë.   “Po, do të angazhohemi që të futemi në bashkësinë e komunave serbe”, shtonte Sali në të njëjtin debat.   Por, partia e tij nuk mblodhi votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e asamblesë në Dragash.   Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sali, që garoi me numrin dy në listën e koalicionit, mori 59 vota në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Ai nuk garoi në zgjedhjet pasardhëse.   https://youtu.be/3QRDdaFnfcI?si=D2qqZecFM4aPOrQ_