Fehim Sali arrestohet nën dyshimet për spiunazh
Fehim Sali, arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, është arrestuar nën dyshimet për veprën penale të “spiunazhit”, në kuadër të një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Sipas raportimeve të publikuara nga Sinjali, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe ka pasur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq. Sipas të njëjtit raportim, Sali më herët ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës. Ai dyshohet gjithashtu se është marrë me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, si dhe me grumbullimin e votave për persona që mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në lidhje me zhvillimet e fundit, Sali është përmendur edhe në raport me qeverisjen lokale në Dragash. Më herët, në Kuvendin Komunal ishte formuar një komision hetimor lidhur me mosfutjen në rend dite të kërkesës për pëlqim për hidrocentral, ku ishte i përfshirë edhe Fehim Sali. Rasti aktual mbetet nën hetim nga institucionet kompetente. Detajet e tjera pritet të bëhen të ditura gjatë zhvillimit të procedurave hetimore dhe gjyqësore. Burimi: Sinjali Shënim i redaksisë: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të dëshmohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.