Afrore Vejseli Rrahmani: Banorët e qendrës së Dragashit dhe Kukajanit nuk duhet të mbesin pa ujë
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Dragashit, Afrore Vejseli Rrahmani, ka reaguar publikisht lidhur me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në qendrën e qytetit të Dragashit dhe në lagjen Kukajan. Ajo e ka cilësuar si të papranueshme situatën, duke theksuar se banorët kanë mbetur pa ujë për disa ditë radhazi pikërisht në kulmin e sezonit veror. Sipas Rrahmanit, qytetarët që paguajnë rregullisht faturat e ujësjellësit po mbesin pa shërbimin bazë, ndërkohë që në disa zona ende nuk janë vendosur orëmatës dhe nuk ka pagesa të rregullta. Ajo shpreh shqetësimin se, nëse furnizimi i sistemit të ri të ujësjellësit po realizohet në dëm të sistemit ekzistues, atëherë kjo paraqet një mënyrë të gabuar të menaxhimit të rrjetit të ujësjellësit. Në reagimin e saj, Rrahmani i bën thirrje Komunës së Dragashit që të sqarojë arsyet pse qendra e qytetit dhe lagjja Kukajan po përballen me mungesë të ujit, si dhe kërkon trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët. “Uji nuk është privilegj, por një e drejtë themelore e çdo qytetari. Banorët e Dragashit meritojnë transparencë, trajtim të barabartë dhe furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm”, thuhet në reagimin e saj.