Filiz Mustafa (VV): Mungesa e ujit po dëmton qytetarët dhe bizneset në qytetin e Sharrit
Filiz Mustafa nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me mungesën e furnizimit me ujë në qytetin e Sharrit, duke kritikuar ekzekutivin lokal për problemet e vazhdueshme me ujësjellësin e ri. Sipas Mustafës, të gjitha lagjet e qytetit kanë mbetur për orë të tëra pa furnizim me ujë, si pasojë e problemeve me sistemin e ri të ujësjellësit, i cili, sipas tij, ishte promovuar me shumë pompozitet gjatë fushatës. Ai thekson se situata po shkakton vështirësi të mëdha edhe për bizneset lokale, të cilat gjatë kësaj periudhe kanë fluksin më të madh të punës dhe e kanë të pamundur funksionimin normal në mungesë të ujit. Mustafa i ka bërë thirrje ekzekutivit lokal që të bashkërendojë veprimet me institucionet përgjegjëse dhe të ndërmarrë masa për zgjidhjen e problemit, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të kenë furnizim të rregullt me ujë, veçanërisht gjatë temperaturave të larta dhe fluksit të madh të njerëzve. Ky reagim është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale.