Lokale

Vrasja e imamit në Zlipotok: Gjykata cakton një muaj paraburgim për dy të dyshuarit

02.07.2026. 2 min čitanja

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave të dyshuar për rastin e vrasjes së imamit Gazmend Tairovci, ngjarje që tronditi Komunën e Dragashit.   Sipas njoftimit të Gjykatës, ndaj të pandehurit B.H. është caktuar paraburgim nën dyshimin e bazuar për veprën penale “Vrasja e rëndë”, ndërsa ndaj I.H. është caktuar paraburgim për veprën penale “Mosdhënia e ndihmës”.   Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok të Komunës së Dragashit. Prokuroria dhe Gjykata dyshojnë se pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me shfrytëzimin e një prone, i dyshuari B.H. e ka sulmuar viktimën me një mjet të mprehtë, duke i shkaktuar plagë fatale, nga të cilat imami Gazmend Tairovci ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.   Ndërkohë, I.H., babai i të dyshuarit kryesor, dyshohet se ndonëse ka qenë pranë vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ndihmuar viktimës.   Gjykata vlerësoi se ekziston rreziku i ikjes së të dyshuarve dhe se paraburgimi është masa e vetme që siguron zhvillimin e papenguar të procedurës penale, administrimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.   Gjykata thekson se në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime të bazuara, ndërsa përgjegjësia penale do të vlerësohet në fazat e mëtejshme të procedurës gjyqësore.   /Dragash Info/