Lokale

“Përdorimi i dronit dhe njësisë K-9” – Zbardhen detaje nga operacioni që çoi në arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e imamit në Dragash

30.06.2026. 2 min čitanja

Dragash – Një operacion i gjerë dhe i koordinuar i Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit, Beshir Hamza, i cili dyshohet për vrasjen e imamit të fshatit Zlipotok.   Ngjarja, e cila tronditi opinionin publik, mobilizoi strukturat e Policisë së Kosovës, të cilat zhvilluan një operacion intensiv operativo-hetimor për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.   Për shkak të terrenit të vështirë, policia përdori metoda të avancuara të kërkimit dhe vëzhgimit, duke angazhuar njësi të specializuara në terren.   Detajet e operacionit i ka konfirmuar për Dragash Info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.   Sipas tij, në operacion janë angazhuar njësi të ndryshme policore, përfshirë dronin për vëzhgim nga ajri dhe njësinë policore me qen (K-9), të cilat mundësuan lokalizimin e të dyshuarit.   «“Në operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit janë angazhuar njësi të ndryshme policore, duke përfshirë përdorimin e dronit për vëzhgim nga ajri, si dhe njësinë policore me qen (K-9)”, ka deklaruar Bytyqi.»   Pas lokalizimit, i dyshuari u rrethua nga forcat policore dhe u arrestua pa vonesë. Ai është shoqëruar në stacionin policor, ku po mbahet nën masa të sigurisë, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorin përgjegjës për të zbardhur plotësisht motivin dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.   Dragash Info do të vazhdojë t’ju informojë me zhvillimet më të reja lidhur me këtë rast.   /Dragash Info/