Partia Demokratike Vatan akuzon për diskriminim të përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë në Kuvendin Komunal të Dragashit
Dragash – Partia Demokratike Vatan ka reaguar publikisht duke akuzuar udhëheqjen e Kuvendit Komunal të Dragashit për, siç thuhet, shpërfillje, injorim dhe shkelje të të drejtave të delegatëve nga komunitetet joshumicë. Sipas reagimit të kësaj partie, kur një delegat opozitar nga komunitetet joshumicë paraqet një propozim në Kuvend, kryesuesi i Kuvendit e injoron dhe nuk e hedh atë në votim. Ndërkaq, sipas tyre, propozimet e paraqitura nga delegatët opozitarë të komunitetit shumicë trajtohen sipas procedurave dhe votohen. Vatan thekson se kjo nuk është një lëshim procedural apo rastësi, por një formë e diskriminimit institucional dhe e margjinalizimit të përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë. Në reagim thuhet gjithashtu se sjellja e pushtetit lokal ka krijuar një klimë diskriminimi dhe mosrespektimi ndaj komuniteteve joshumicë, ndërsa përgjegjësia për këtë i atribuohet partive në pushtet, LDK-së dhe SDU-së. Partia i bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të reagojnë, duke theksuar se heshtja ndaj rasteve të tilla, sipas tyre, përbën tolerim të diskriminimit. /Dragash Info/