Kryetari Xheladini reagon ndaj deklaratave të LVV-së për tarifat e mbeturinave: Vendimi u mor nga Kuvendi Komunal, jo nga ekzekutivi
Dragash – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka reaguar ndaj deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin për harmonizimin e tarifave të grumbullimit të mbeturinave, duke i cilësuar ato si pretendime të pavërteta dhe përpjekje për të keqinformuar qytetarët. Sipas Xheladinit, vendimi për rritjen e tarifave nuk është marrë në mënyrë të njëanshme nga ekzekutivi komunal, por është votuar dhe miratuar nga Kuvendi Komunal, si organi më i lartë vendimmarrës në komunë. Ai theksoi se kërkesa fillestare e kompanisë “Ekoregjioni” kishte qenë që tarifa për banorët rezidentë të rritej nga 5.50 euro në 7.50 euro në muaj, ndërsa për jo-rezidentët nga 20 euro në 36 euro në vit. Megjithatë, pas shqyrtimit dhe diskutimeve, Kuvendi Komunal vendosi që tarifa për rezidentët të jetë 6.50 euro në muaj, ndërsa për jo-rezidentët 30 euro në vit. Kryetari Xheladini argumentoi se rritja e tarifave është ndikuar nga rritja e kostove të operimit, përfshirë çmimin e naftës, pjesëve rezervë, mirëmbajtjes së pajisjeve, si dhe harmonizimin e pagave të punëtorëve pas rritjes së pagës minimale. Në reagimin e tij, ai shtoi se edhe shumica e komunave të rajonit kanë miratuar tarifa të ngjashme ose më të larta për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa theksoi se qëllimi i vendimit është garantimi i vazhdimësisë dhe cilësisë së shërbimeve publike. Në fund, Xheladini deklaroi se Komuna e Dragashit do të vazhdojë të veprojë me transparencë dhe përgjegjësi, duke mbrojtur interesin e qytetarëve dhe funksionimin e rregullt të shërbimeve komunale. /Dragash Info/