Më 1999, Irlanda refuzoi të zhvillonte një ndeshje kualifikuese kundër Jugosllavisë, duke iu referuar situatës së papranueshme në Kosovë. 27 vjet më vonë, kombëtarja irlandeze zbarkoi për herë të parë në Prishtinë, këtë herë për t’u përballur me Kosovën. Më 5 qershor 1999, Irlanda ishte paraparë të priste Jugosllavinë në Dublin, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2000”. Megjithatë, qeveria irlandeze, e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Bertie Ahern, vendosi të mos i lëshonte viza delegacionit jugosllav, duke pamundësuar zhvillimin e ndeshjes. Vendimi erdhi në mes të luftës në Kosovë dhe kundërshtimit të autoriteteve irlandeze ndaj veprimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit. UEFA kishte refuzuar kërkesën për shtyrjen ose anulimin e takimit, ndërsa në Irlandë kishte pasur kundërshtime publike, protesta të paralajmëruara dhe presion politik. Federata Irlandeze e Futbollit kishte deklaruar se nuk do të ofronte mikpritje për delegacionin jugosllav dhe se himni i Jugosllavisë nuk do të ekzekutohej para ndeshjes. Edhe trajneri Mick McCarthy dhe lojtarët shprehën rezerva për zhvillimin e saj. Pas vendimit të qeverisë, UEFA paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj Irlandës. Në fund, Federata Irlandeze u gjobit dhe u detyrua të mbulonte shpenzimet e delegacionit jugosllav. Ndeshja u zhvillua më 1 shtator 1999 në Dublin, ku Irlanda fitoi 2–1. Nga solidariteti me Kosovën te stadiumi “Fadil Vokrri” Sonte, historia mori një tjetër kthesë. Irlanda luajti për herë të parë në Prishtinë, kundër përfaqësueses së Kosovës, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve. Për një vend që në vitin 1999 refuzoi të luante me Jugosllavinë për shkak të luftës dhe mizorive në Kosovë, kjo përballje në kryeqytetin e Kosovës përbën një moment me simbolikë të veçantë historike. Nga kundërshtimi i sportit me regjimin që po ushtronte dhunë në Kosovë, te një ndeshje futbolli në një Kosovë të lirë dhe të pavarur. — Dragash Info Burimi: RTÉ, Irish Times, The Guardian dhe raportime të tjera historike mbi ndeshjen e vitit 1999.
Irlanda, nga refuzimi i ndeshjes me Jugosllavinë për shkak të Kosovës, te përballja e parë në Prishtinë
Më 1999, Irlanda refuzoi të zhvillonte një ndeshje kualifikuese kundër Jugosllavisë, duke iu referuar situatës së papranueshme në Kosovë. 27 vjet më vonë, kombëtarja irlandeze zbarkoi për herë të parë në Prishtinë, këtë herë për t’u…




