Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Takimi, i organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, është bërë publik përmes një fotografie të publikuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Sipas raportimeve, fillimisht as Kurti dhe as Gjuriç nuk kishin bërë njoftim zyrtar për takimin në platformat e tyre publike. Në takim, përveç Kurtit, Gjuriçit dhe Mickoskit, kanë marrë pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviç. Takimi është zhvilluar tetë ditë pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale në Hagë, si dhe në prag të përvjetorit të tretë të sulmit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Kurti reagon pas raportimeve Pas raportimit të VOX Kosova, kryeministri Albin Kurti ka publikuar një reagim në Facebook, ku ka dhënë detaje për qëndrimet e tij gjatë takimit. Kurti ka deklaruar se Kosova nuk duhet dhe nuk mund të mbetet “peng” i Serbisë, duke kritikuar, siç ka shkruar, mbrojtjen e personave përgjegjës për krime dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë. Ai ka përmendur gjithashtu, ndër të tjera, situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe nevojën për drejtësi e bashkëpunim ndërmjet palëve.
Kurti takon Gjuriçin në New York, takimi nuk u bë i ditur paraprakisht
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të…




