Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fehim Salit, mësimdhënës nga Dragashi, i cili po hetohet nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit dhe bashkëpunimit me Shërbimin Inteligjent të Serbisë (BIA). Vazhdimin e paraburgimit e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. Sipas saj, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën dhe ka vendosur që masa e paraburgimit të vazhdojë edhe për dy muaj. Fehim Sali ndodhet në paraburgim që nga arrestimi i tij më 13 gusht 2026. Ai ishte arrestuar në pikën kufitare në Merdare, ndërsa një ditë më pas Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar ndaj tij një muaj paraburgim. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se ka vepruar për një periudhë të pacaktuar në interes të BIA-s serbe, duke ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, duke identifikuar dhe fotografuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe duke mbledhur informacione për persona të tjerë që, sipas Prokurorisë, mund të ishin objektiva për kontaktim apo rekrutim. Gjatë bastisjes në pronën e tij në Dragash, sipas autoriteteve, janë sekuestruar rreth 39 mijë e 500 euro, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme që lidhen me hetimin. Prokuroria ka pretenduar se paratë mund të jenë përfituar nga veprimtaria e dyshuar e spiunazhit. Sipas Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet gjithashtu se ka mbajtur kontakte me zyrtarë të BIA-s dhe se ka vepruar sipas udhëzimeve të tyre. Prokuroria ka deklaruar më herët se pas përfundimit të hetimeve synon të ngrejë aktakuzë ndaj tij. Rasti ndaj Fehim Salit është ende në fazën e hetimeve dhe ndaj tij vlen parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. — Dragash Info www.dragash.info
Gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin mësimdhënësit nga Dragashi, i dyshuar për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fehim Salit, mësimdhënës nga Dragashi, i cili po hetohet nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit dhe bashkëpunimit me Shërbimin Inteligjent të…




