Lokale

MUHARREM QAFLESHI: STANDARDET E DYFISHTA DHE DISKRIMINIMI NË KOMUNËN E DRAGASHIT

14.05.2026. 4 min čitanja

STANDARDET E DYFISHTA DHE DISKRIMINIMI NË KOMUNËN E DRAGASHIT width= Shkruan: Muharrem Qafleshi   Në vitin 2025, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, kur pushteti kishte nevojë jetike për votën e mërgatës, organizoheshin me bujë manifestime për “Ditët e Mërgimtarëve” në Brezne dhe Bellobrad.   Atëherë, në manifestimet në fshatrat Brezne e Bellobrad, dëgjoheshin fjalime patriotike, lavde për mërgatën, ku mërgimtari shpallej “pasuria më e madhe kombëtare”.   Por sot, më 14 maj 2026, realiteti doli krejt ndryshe.   Në faqen zyrtare të Komunës së Dragashit publikohet thirrja publike për financimin e OJQ-ve, ku për Opojën parashihet vetëm një (1) projekt për manifestim për mërgatën, ndërsa për Gorën dy (2) manifestime për mërgatën e tyre.   Dhe këtu lind pyetja e madhe publike: Pse kjo ndarje selektive dhe ky standard i dyfishtë?   Apo ndoshta pushteti po përgatitet sërish për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit dhe po kalkulon votat sipas interesave politike?   A ka më shumë banorë dhe mërgimtarë Gora sesa Opoja?   A kontribuon më pak Opoja në ekonominë e komunës?   Apo problemi qëndron diku tjetër?   A ndoshta sepse mërgata e trevës së Gorës është kryesisht nga Serbia, Vojvodina dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa mërgata opojane është ndërtuar me dekada sakrifice në Austri, Gjermani, Zvicër dhe në shtetet më të zhvilluara evropiane?   Janë pikërisht ata njerëz që mbajtën familjet, ndërtuan shtëpitë, financuan shkollimin e brezave dhe mbajtën gjallë ekonominë lokale në kohët më të vështira.   Ndërsa sot, pikërisht kjo trevë trajtohet me nënçmim institucional dhe me një qasje që ngjan më shumë me hakmarrje politike sesa me qeverisje demokratike.   Kjo nuk është rastësi. Kjo është vazhdimësi.   Të privilegjuarit e viteve ’80 dhe ’90 të shekullit XX, vazhdojnë të jenë të privilegjuar edhe në vitet ’30 të shekullit XXI.   Ndërsa Opoja, që historikisht ka bartur barrën më të rëndë të diskriminimit politik dhe ekonomik, vazhdon të përballet me të njëjtin mentalitet përjashtues edhe sot.   Ironia më e madhe është se disa njerëz që në vitet ’90 liroheshin nga aktakuzat serbe, ndërkohë që shokët e tyre të idealit dënoheshin dhe kalbeshin burgjeve serbe, sot sillen si pronarë të çdo gjëje.   Sot ata vendosin për paratë e taksapaguesve sikur të ishin “Babë-Mall”, duke favorizuar, përjashtuar dhe diskriminuar sipas interesit, inatit dhe lidhjeve personale.   Ky nuk është pushtet qytetar.   Kjo është mendësi e vjetër e privilegjit politik dhe e kontrollit selektiv institucional.   Komuna e Dragashit nuk është pronë private e askujt.   Paratë publike nuk janë instrument hakmarrjeje ndaj atyre që mendojnë ndryshe ose që nuk i përkulen pushtetit.   Qytetarët kanë të drejtë të dinë: • Kush vendos? • Me çfarë kriteresh vendoset? • Pse favorizohet njëra palë dhe diskriminohet tjetra?   Sepse heshtja përballë padrejtësisë është bashkëfajësi.   Historia ka treguar se pushtetet kalojnë, por dokumentet, faktet dhe e vërteta mbesin.