Lokale

LVV në Sharr kërkon përgjigje për mungesën e ujit dhe kontratat milionëshe të projektit të ujësjellësit

09.08.2026. 2 min čitanja

Qytetarët e qytezës së Dragashit po përballen prej disa ditësh me probleme në furnizimin me ujë të pijshëm. Për situatën ka reaguar edhe LVV – Qendra Sharr, e cila ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me projektin e ujësjellësit dhe shpenzimet e realizuara për të.   Në reagimin e saj, LVV – Qendra Sharr thekson se, ndërsa qytetarët përballen me mungesë të ujit, projekti i prezantuar si një investim madhor për furnizimin me ujë dhe filtrimin e tij po shoqërohet me shqetësime rreth funksionalitetit dhe menaxhimit.   Sipas LVV-së, për këtë projekt Komuna e Dragashit ka lidhur katër kontrata me vlera milionëshe, ndërsa, sipas tyre, në të katër rastet figuron si kompani fituese PUNA SH.P.K.   LVV – Qendra Sharr kërkon sqarime nga institucionet përgjegjëse lidhur me disa çështje, përfshirë:   – Pse qytetarët e qytezës së Dragashit po përballen me mungesë të ujit të pijshëm? – Cili është funksionaliteti aktual i impiantit dhe i sistemit të furnizimit me ujë? – Sa është vlera totale e kontratave të lidhura për këtë projekt dhe për çfarë janë shpenzuar mjetet? – Cilat kanë qenë kriteret dhe procedurat e prokurimit për kontratat përkatëse? – Kush mban përgjegjësi institucionale për problemet aktuale me furnizimin me ujë?   LVV – Qendra Sharr vlerëson se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie për investimet publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për një shërbim bazë siç është furnizimi me ujë të pijshëm.   Dragash Info do të përcjellë edhe qëndrimet dhe sqarimet e Komunës së Dragashit, operatorit rajonal të ujësjellësit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse lidhur me këto pretendime.