Qendrore

Gazetarja Arlinda Sejda jep dorëheqje nga RTK, ngrihen akuza për presione politike dhe kërkesa për storje me AI

30.06.2026. 2 min čitanja

Gazetarja Arlinda Sejda ka dhënë dorëheqje nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), pas rreth 10 vitesh pune, duke deklaruar se vendimin e ka marrë për të mbrojtur parimet profesionale, standardet etike dhe pavarësinë në ushtrimin e gazetarisë.   Në reagimin e saj publik, Sejda tha se nuk ka pasur mundësi ta ushtrojë profesionin në përputhje me bindjet e saj profesionale, duke theksuar se gazetaria duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, pavarësinë editoriale dhe interesin publik.   Sipas raportimeve të publikuara nga mediat, ndaj saj është ushtruar presion i vazhdueshëm, ndërsa pretendohet se drejtues të RTK-së i kishin kërkuar të përgatiste një storje të krijuar me inteligjencë artificiale (AI) për qëllime politike. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga RTK.   Redaktorja e RTK-së, Jehona Zhitia, ka deklaruar publikisht se ka qenë dëshmitare e një rasti që, sipas saj, përbënte shembull të keq të ndërhyrjes në gazetari dhe të deformimit të informimit për interesa politike.   Largimi i Sejdës ka nxitur reagime edhe në skenën politike. Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se nëse pretendimet për kërkesën për storje me AI rezultojnë të vërteta, atëherë bëhet fjalë për propagandë dhe jo gazetari.   Ndërkohë, Federata Sindikale e RTK-së e cilësoi dorëheqjen si dëshmi të presioneve dhe ndërhyrjeve në proceset editoriale, duke i bërë thirrje Bordit dhe menaxhmentit të garantojnë pavarësinë editoriale dhe një ambient pune profesional.   Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi pas dorëheqjes, duke shprehur shqetësim për, siç thuhet, presionet politike ndaj transmetuesit publik. AGK i bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të mbrojnë pavarësinë editoriale dhe lirinë e gazetarëve.   /Dragash Info/