Kryesia e PDK-së diskuton për zgjedhjet e brendshme dhe zhvillimet politike në vend
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë shqyrtuar zhvillimet aktuale politike në vend, prioritetet organizative dhe procesi i zgjedhjeve të brendshme të partisë. Sipas njoftimit zyrtar të PDK-së, gjatë mbledhjes u theksua se partia po hyn në një fazë të rëndësishme të konsolidimit organizativ përmes zgjedhjeve të brendshme, të cilat do të zhvillohen në përputhje me Statutin e partisë dhe mbi parimet e demokracisë së brendshme, transparencës, garës së ndershme dhe respektimit të vullnetit të anëtarësisë. Kryesia vlerësoi se ky proces paraqet një mundësi për fuqizimin e strukturave, përfshirjen e energjive të reja dhe ndërtimin e një PDK-je më të fortë, më të bashkuar dhe më të përgatitur për sfidat politike që e presin vendin. Në mbledhje u diskutua gjithashtu edhe për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, me ç’rast u shpreh pritja që vendimi të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së. Po ashtu, Kryesia ritheksoi se PDK-ja ka ruajtur unitetin dhe organizimin e saj, duke e cilësuar veten si forcën kryesore opozitare në Kosovë dhe partinë me numrin më të madh të deputetëve në opozitë. Në fund, PDK-ja riafirmoi përkushtimin për respektimin e vullnetit të anëtarësisë, forcimin e demokracisë së brendshme dhe vazhdimin e angazhimit për ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar, më të sigurt dhe të integruar në institucionet euroatlantike. /Dragash Info/