Prattipati: SHBA dhe Kosova, një miqësi e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka theksuar se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës janë ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besim në një të ardhme të sigurt dhe me më shumë mundësi për qytetarët. Në ceremoninë e organizuar me rastin e 250-vjetorit të shtetësisë amerikane, Prattipati tha se historia e Amerikës nuk është shkruar vetëm brenda kufijve të saj, por edhe përmes miqësive dhe partneriteteve të krijuara në mbarë botën. Ajo vlerësoi Kosovën si një partnere të besueshme të SHBA-së, duke theksuar se populli i Kosovës mishëron vlera të tilla si demokracia, kreativiteti dhe qëndrueshmëria. Sipas saj, Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj partneritetit me SHBA-në përmes kontributit në misionet ndërkombëtare të sigurisë, investimeve në arsim dhe teknologji, si dhe mbështetjes së prioriteteve të përbashkëta. Prattipati ritheksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si mbrojtja, tregtia, energjia dhe investimet. Ajo theksoi se bizneset amerikane po kërkojnë partnerë të besueshëm dhe fuqi punëtore të kualifikuar, duke shtuar se Kosova ka potencial të madh për t’u bërë një destinacion konkurrues për investime. Një pjesë të veçantë të fjalimit ia kushtoi të rinjve të Kosovës, duke i cilësuar ata si arkitektët e së ardhmes dhe burimin më të madh të vendit. “Nëpërmjet inovacionit, edukimit dhe lidershipit, të rinjtë do të formësojnë jo vetëm të ardhmen e Kosovës, por edhe partneritetin e saj me Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Prattipati. Në përfundim, ajo falënderoi qytetarët e Kosovës për miqësinë dhe besimin e treguar ndër vite, duke shprehur bindjen se partneriteti mes dy vendeve do të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen. /Dragash Info/