Arrestohet edhe babai i të dyshuarit për vrasjen e imamit në Dragash, dyshohet për mosdhënie të ndihmës
Dragash – Pas arrestimit të Beshir Hamzës, i dyshuar për vrasjen e imamit të fshatit Zlipotok, Gazmend Tahirovci, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe babanë e tij. Sipas informacioneve zyrtare, babai i të dyshuarit është arrestuar nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ku pritet të përcaktohen rrethanat e sakta të vdekjes. Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar intensivisht për të zbardhur motivin dhe të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike. Dragash Info do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast. /Dragash Info/