Lokale

Tenderi i “furrënxhiut” dhe mospërputhjet kronologjike: Dokumentet ngrenë pikëpyetje mbi realizimin e vizitës studimore

29.06.2026. 5 min čitanja

Shkruar nga: Prof.Dr. Muharrem Qafleshi   Nga dokumentet e kontratës, agjenda e vizitës studimore dhe postimet publike të Komunës së Dragashit rezultojnë disa mospërputhje kronologjike dhe faktike, të cilat ngrenë pikëpyetje dhe meritojnë verifikim nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e procedurave të prokurimit publik.   Data e përgatitjes së njoftimit   Sipas dokumentit, njoftimi për kontratë është përgatitur më 15 maj 2025. Kjo datë shënon fillimin formal të procedurës që lidhet me organizimin e vizitës studimore.   Nënkontraktimi nuk parashihet   Në faqen e dytë të kontratës thuhet qartë se nuk parashihet nënkontraktim, që do të thotë se operatori ekonomik fitues nuk do t’ia delegojë realizimin e kontratës një kompanie tjetër.   Megjithatë, kontrata është lidhur me SWEET BAKERY SH.P.K., një subjekt që, sipas veprimtarisë së tij, nuk njihet si operator turistik apo transportues udhëtarësh.   Kjo ngre pyetjen se si janë realizuar shërbimet e transportit dhe organizimit të vizitës studimore. Nëse këto shërbime janë kryer nga një kompani tjetër, mbetet të sqarohet nëse kjo është bërë në përputhje me kushtet e kontratës dhe legjislacionin për prokurimin publik.   Nënshkrimi dhe protokollimi i kontratës   Në faqen e tretë rezulton se kontrata është protokolluar më 16 maj 2025, me numër protokolli 03 Nr. 400-4981 dhe me numër kontrate 621-25-2450-2-2-1/C999.   Kontrata është lidhur ndërmjet Komunës së Dragashit dhe operatorit ekonomik SWEET BAKERY SH.P.K. – Ali Hajdari, Prizren, në vlerë prej 22.000 euro.   Fillimi i shërbimeve   Sipas nenit përkatës të kontratës, fillimi i shërbimeve është caktuar dy ditë pas nënshkrimit të kontratës, përkatësisht më 18 maj 2025.   Kjo përbën mospërputhjen e parë kronologjike, pasi dokumentet publike sugjerojnë se udhëtimi kishte nisur më herët.   Agjenda nuk përputhet me kronologjinë   Agjenda parashikon nisjen nga Dragashi në orën 16:00.   Megjithatë, sipas postimeve të publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Dragashit dhe në profilin e kryetarit të komunës, delegacioni i asamblistëve dhe stafit komunal më 16 maj 2025, në orën 09:32, ndodhej tashmë në Linz të Austrisë.   Nëse në orët e paradites delegacioni ishte në Linz, atëherë lind pyetja logjike se kur ishte bërë nisja nga Dragashi, pasi një udhëtim i tillë nënkupton se delegacioni duhet të ketë udhëtuar që një ditë më parë, pra më 15 maj 2025, datë që përkon me përgatitjen e njoftimit të kontratës.   Po ashtu shtrohet edhe pyetja tjetër: si mund të jetë protokolluar kontrata në Dragash më 16 maj 2025, ndërkohë që pjesëmarrësit e vizitës studimore ndodheshin tashmë në Linz?   Paqartësi edhe në agjendën e udhëtimit   Agjenda ngre edhe disa pikëpyetje të tjera.   Për ditën e parë parashihet:   – mbërritja në Split në orën 07:00; – mëngjesi në hotel nga ora 08:00 deri në 10:00; – ndërsa akomodimi në hotel vetëm pas orës 15:00.   Ky renditje krijon paqartësi, pasi mëngjesi në hotel është planifikuar përpara akomodimit.   Edhe dita e dytë paraqet një mospërputhje. Agjenda parasheh sërish mëngjes në hotel nga ora 08:00 deri në 10:00, megjithëse dokumenti flet për vetëm një natë qëndrimi, çka nuk përputhet me logjikën e programit.   Itinerari nuk përputhet me postimet publike   Agjenda përmend vizita në Split, Maribor, Zagreb dhe Vjenë.   Megjithatë, sipas postimeve publike të datës 16 maj 2025, delegacioni ndodhej në Linz të Austrisë, ndërsa nuk rezultojnë dëshmi publike që në atë kohë të kenë qenë në qytetet e parashikuara në agjendë.   Nevojë për verifikim institucional   Mospërputhjet ndërmjet datave të kontratës, fillimit të shërbimeve, agjendës së udhëtimit dhe postimeve publike nuk përbëjnë në vetvete provë për shkelje ligjore.   Megjithatë, ato paraqesin rrethana që, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies, meritojnë të verifikohen nga institucionet kompetente, përfshirë organet përgjegjëse për mbikëqyrjen e procedurave të prokurimit publik dhe përdorimin e mjeteve publike.   Sqarimi i këtyre mospërputhjeve do të ishte në interes të publikut, të transparencës institucionale dhe të vetë autoriteteve të përfshira në këtë procedurë.

width= width= width= width= width= width= width= width= width=

/Dragash Info/