Sorensen: Marrëveshja e Ohrit është detyrim ndërkombëtar dhe ka nisur të zbatohet në disa pjesë
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar i vlefshëm dhe se zbatimi i saj tashmë ka filluar në disa segmente. Gjatë një diskutimi në Forumin e Dubrovnikut, Sorensen tha se marrëveshja nuk ka nevojë për nënshkrim që të konsiderohet e vlefshme, duke u mbështetur edhe në jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai theksoi se disa pjesë të marrëveshjes, veçanërisht ato që lidhen me çështjen e personave të zhdukur, tashmë kanë filluar të zbatohen, ndërsa pika të tjera mbeten ende të pazbatuara. Sipas Sorensenit, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët t’i përmbushin obligimet e marra, duke rikujtuar se marrëveshja është konfirmuar vazhdimisht edhe në përfundimet e Këshillit të BE-së. Ai shtoi se, para se të merrte detyrën si emisar i BE-së, kishte verifikuar statusin juridik të marrëveshjes dhe kishte konstatuar se nuk ekziston asnjë pikëpyetje për vlefshmërinë e saj. /Dragash Info/