NDOTJE ALARMANTE NË ZAPLLUXHE – MBETURINAT PO SHKATËRROJNË NATYRËN
NDOTJE ALARMANTE NË ZAPLLUXHE – MBETURINAT PO SHKATËRROJNË NATYRËN
Një dukuri shqetësuese e hedhjes së mbeturinave është evidentuar në fshatin Zaplluxhe të Opojës, duke dëmtuar rëndë një nga hapësirat më të bukura natyrore të kësaj zone. Banorët bëjnë me dije se ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen që po përhapet në shumë fshatra të komunës së Dragashit, si në trevën e Opojës ashtu edhe në atë të Gorës. Ndotja e mjedisit ka shqetësuar tej mase qytetarët, të cilët po e shohin me brengë degradimin e natyrës. Ata theksojnë se mungesa e lokacioneve të caktuara për deponimin e mbeturinave të ngurta dhe mosndëshkimi i ndotësve janë disa nga arsyet kryesore të këtij problemi. Banorët u bëjnë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që të ndërmarrin masa urgjente për parandalimin e deponive ilegale dhe të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave, duke rikujtuar se Dragashi është zonë me potencial të madh në blegtori dhe turizëm, sektorë që nuk mund të zhvillohen pa një mjedis të pastër. Në foto që do të publikohen bashkë me këtë lajm, shihen qartë mbeturinat e hedhura, duke dëshmuar përmasat e problemit. — Dragash Info