Qendrore

“Një shtet i pasigurt ndërton procedura që krijojnë ndjesinë se duhet të justifikosh praninë tënde në vendin tënd”

15.03.2026. 3 min čitanja

“Një shtet i pasigurt ndërton procedura që krijojnë ndjesinë se duhet të justifikosh praninë tënde në vendin tënd” Vendimi i fundit i Qeveria e Kosovës që çdo shtetas i huaj të deklarojë adresën e qëndrimit brenda tre ditëve nga hyrja në vend ka nxitur reagime dhe diskutime, veçanërisht në raport me diasporën shqiptare. Kjo masë mund të duket në pamje të parë një procedurë administrative, por në thelb prek një realitet shumë më të ndjeshëm për Kosovën: raportin me qindra mijëra shqiptarë që sot kanë shtetësi të huaj, por që Kosovën e konsiderojnë vendlindje dhe shtëpi. Kosova është ndoshta një nga vendet e rralla në Evropë ku diaspora nuk është vetëm diasporë ekonomike, por pjesë e pandashme e ekzistencës kombëtare. Në periudha të ndryshme historike, shqiptarët janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për arsye politike, ekonomike apo represive. Sot shumë prej tyre kanë shtetësi gjermane, zvicerane, austriake apo të vendeve të tjera evropiane, por shtëpitë, tokat dhe familjet i kanë ende në Kosovë. Me këtë vendim, shteti i Kosovës po i trajton këta njerëz jo si pjesë të trupit të vet kombëtar, por si të huaj që duhet të raportojnë vendqëndrimin e tyre sa herë që hyjnë në vendin e tyre. Kjo është një qasje që krijon më shumë distancë sesa lidhje. Ironia historike është edhe më e madhe kur kujtojmë se praktika të ngjashme kanë ekzistuar në kohën e administratës serbe në Kosovë, kur qytetarët shpesh detyroheshin të siguronin vërtetime për vendqëndrim, sikur të ishin të dyshimtë në vendin e tyre. Këto masa kishin më shumë karakter kontrolli sesa administrimi. Kosova e pasluftës dhe e pavarësisë është ndërtuar pikërisht mbi idenë e lirisë së qytetarit dhe lidhjes së fortë me diasporën. Çdo politikë që e trajton diasporën si një problem administrativ, në vend se si një kapital kombëtar, është një hap prapa në kulturën e shtetbërjes. Shumica e shqiptarëve që vijnë nga diaspora nuk janë turistë. Ata janë pronarë shtëpish, investitorë, familjarë dhe mbajtës të një pjese të madhe të ekonomisë së vendit përmes remitancave dhe investimeve. Prandaj pyetja thelbësore nuk është vetëm administrative: a duhet të deklarohet një adresë? Pyetja është më e thellë: çfarë mesazhi po u jep shteti i Kosovës njerëzve të vet që jetojnë jashtë? Një shtet i mençur përpiqet ta afrojë diasporën, ta bëjë Kosovën vend ku ata ndihen gjithmonë në shtëpi. Një shtet i pasigurt ndërton procedura që krijojnë ndjesinë se duhet të justifikosh praninë tënde në vendin tënd. Politika e mençur ndërton ura. Politika e gabuar ndërton formularë. Autor: Selver Islamaj Nënkryetar i PBKDSH — Dragash Info