Pushteti në siklet për deklaratën e Rashiq për 24 hektarët e Manastirit, zëdhënësi i Qeverisë sqaron: Bëhet fjalë për kërkesën për vizitë të Patriarkut
Pushteti në siklet për deklaratën e Rashiq për 24 hektarët e Manastirit, zëdhënësi i Qeverisë sqaron: Bëhet fjalë për kërkesën për vizitë të Patriarkut Zëdhënësi i Qeveris së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas deklaratës së ministrit Nenad Rashiq, i cili kishte thënë se kryeministri Albin Kurti i kishte dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit “për hatër të tij”. Sipas Manxhukës, Rashiq ka ngatërruar situatën me pranimin e kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije gjatë Krishtlindjeve ortodokse të vitit 2023. Ai theksoi se vendimi për Manastirin e Deçanit u zbatuar sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, si pjesë e plotësimit të parakushteve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në vitin 2024. Postimi i plotë i Manxhukës: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 u zbatua në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me një votim prej 131 në favor dhe 29 kundër, rekomandoi Kosovën për anëtarësim të plotë. Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese u realizua vetëm në këtë kontekst dhe jo për çështje të tjera. Çështja që Rashiq ka përmendur lidhet me pranimin e kërkesës së tij për vizitën e Patriarkut Porfirije në Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023. Reagimi i zëdhënësit të Qeverisë synon të sqarojë opinionin publik dhe të shmangë keqkuptimet që mund të lindin nga deklarata e Rashiq për Manastirin e Deçanit. — Dragash Info